You are currently viewing Drejt një fryme evropiane të qeverisjes lokale

Drejt një fryme evropiane të qeverisjes lokale

Në formën aktuale rregulluese të qeverisjes lokale, zgjedhja e drejtpërdrejt e lidershipit ka rritur kredencialet demokratike. Në këtë mënyrë vija llogaridhënëse është e lidhur direkt në ekzekutivin dhe e shpërndarë në përfaqësimin për kontroll dhe mbikëqyrje tek legjislativi.

Nëpërmjet këtyre mekanizmave qytetari bart vullnetin dhe delegon të drejtën për marrjen e vendimeve për dhe në emër të tij. Dhënia e rolit të agjentit apo përfaqësuesit për palën kryesore në këtë rast qytetarin, nuk nënkupton vetëm administrimin e shërbimeve dhe shpenzimin e mjeteve, por njëkohësisht përfaqësimin e vlerave të komuniteteve lokale.

Lidershipi para kësaj duhet të sigurohet që politik-bërja të jetë gjithnjë në relacion të ngushtë me pritjet dhe shqetësimet e publikut, njëkohësisht duke u siguruar se procesi ka kaluar në konsultim profesional. Në rastin e Kosovës rregullativa dhe forma e ndërtimit institucional të nivelit lokal është ndërtuar në frymën e fuqizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë, por në mes kësaj dhe veprimeve në teren shpërfaqet një hendek i madh.

Kësisoj, ne kemi një problem ose sfide zinxhirore, që pjesërisht është derivat i kulturës jo fort të konsoliduar demokratike dhe më shumë pasojë e mungesës së një qasje pro-aktive dhe transformuese të udhëheqjes komunale. Lidershipi aktualisht është i pozicionuar brenda kornizave të administrimit, kjo shpesh e shtyrë edhe nga logjika rregulluese e menaxhimit komunal. Një qasje e tillë zvogëlon opsionet dhe zgjidhjet praktike për problemet e qytetarëve.

Për këtë një rritje graduale e përfshirjes sa më të madhe e profesionistëve të rinj në qeverisjen lokale, do të ndikonte pozitivisht në fuqizimin e politikave dhe avancimin e proceseve në bazë. Në projeksionet e këtij ndryshimi një brez i ri i profesionistëve duhet të ndihet hisedar në fuqizimin e themeleve evropiane të qeverisjes me theks të nivelit lokal.

Megjithatë, lidershipi transformues nuk nënkupton ndërrim gjenerate, parasëgjithash ka të bëjë me ndryshimin e mendësisë së menaxhimit komunal. Koncepti bazë gjen zbatim dhe fuzionohet lehtë me konturat aktuale rregulluese të nivelit lokal. Një lëvizje nga gjendja aktuale nuk mund të ndodhë pa një kërkesë të qartë nga publiku e domosdo pa një reflektim të garniturës politike.

Sinjalet e para vetëm se janë dhënë në zgjedhjet paraprake për lidershipin lokal dhe kjo e ka bërë të qartë se reflektimi i strukturës politike mbi këtë duhet të ndodhë, në rastin e kundërt do ta zbehim dita ditës besimin qytetarë. Një lidership transformues do ti shtyjë akterët lokal në arritjen e objektivave të përbashkëta. Kjo jo vetëm se do të rriste performancën komunale, por parasëgjithash do të fuqizonte identitetin kolektiv.

Një qasje transformuese kërkon disa parametra individual dhe ekiporë, e ata bazohen në detyra praktike dhe pro-aktive; në motivim të stafit; në vendosshmëri mbi detyra; në mobilizim të akterëve; në profesionalizëm, në përkrahje për zbatim të detyrave; dhe e rëndësishme në inovacion.

Krejt në fund, duhet pranuar se niveli lokal ende nuk përfaqëson modelin e synuar evropian, përgjegjësia është e madhe, jo vetëm në institucione, por edhe për akteret tjerë social e publik për të avancuar këtë frymë në themel, ndryshe ne marrim në qafë gjeneratat që vijnë.

Lini një Përgjigje