You are currently viewing Instituti KLGI bashkë me komunat po eksplorojnë iniciativa inovative në fushën e qeverisjes lokale

Instituti KLGI bashkë me komunat po eksplorojnë iniciativa inovative në fushën e qeverisjes lokale

Përfaqësuesit e Institutit KLGI sot janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ku kanë diskutuar lidhur me perspektivat dhe sfidat në fuqizimin e nivelit lokal. Vizita në këtë komunë u realizua në kuadrin e mentorshipeve që po ofron Instituti KLGI për komunat partnere që kërkojnë asistencë profesionale dhe teknike, si intervenim specifik i dalë nga projekti “Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme – SSSM” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Ndër temat që u diskutuan gjatë takimit ishin financimi i komunave me theks të veçantë atyre që kanë territor të madh nën administrim dhe që formula e financimit reflekton për shkak të numrit të banorëve.

Çështje tjetër e ngritur ishte Projektligji për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës Komunale, me theks tek çështja që ua kufizon shfrytëzimin e pronës së bartur te komunat për palët e treta në një periudhë katër vjeçare. Kjo presim të trajtohet në Komisione pas leximit të dytë, duke u dhënë mundësi komunave që për interes të zhvillimit ekonomik lokal, pronën e bartur të mund ta japin në shfrytëzim, gjithnjë duke u siguruar se kjo pronë paraqet interes afatgjatë për zhvillimin ekonomik lokal dhe mundësitë për investitorët serioz.

Në vend të kësaj institucionet qendrore duhet të vendosin mekanizma që trajtojnë këto prona në interes të veçantë të zhvillimit ekonomik lokal.

Në takim u diskutua për forcimin e politikave të bashkëpunimit në mes të komunave të Kosovës dhe atyre në Evropë, kjo si mundësi e shkëmbimit të praktikave, modeleve dhe gjetjes së mbështetjes për bashkëpunim në fushat e edukimit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik. Krahas kësaj u përcaktua që në javët në vijim bashkë më Institutin KLGI të zhvillohen vizita rajonale për të parë komunat model në thithjen e fondeve zhvillimore.

Për gjatë takimit, kryetari Kastrati prezantoi një koncept të avancuar të bashkëpunimit ndëretnik dhe ndër-kulturor si synim i përbashkët për objektivat e integrimit dhe rrugëtimit të përbashkët për fuqizimin e nivelit lokal. Për këtë është e domosdoshme një fokus dhe mbështetje e shtuar nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë për ta promovuar një model të ri të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës.

Instituti KLGI u ftua të jetë pjesë e platformës që është duke u ndërtuar në funksion të përmirësimit të politikave të edukimit në këtë komunë dhe përpjekjeve për ngritjen e cilësisë në këtë fushë.

Instituti KLGI do të vazhdojë agjendën e takimeve me komunat duke vendosur përpara çështjet me interes të përbashkët në fuqizimin e nivelit lokal.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në “Mbështetje për Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje