You are currently viewing Instituti KLGI nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Al-Hayat Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, Amman, Jordani

Instituti KLGI nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Al-Hayat Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, Amman, Jordani

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Al-Hayat në Jordani kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi për të promovuar parimet e demokracisë lokale, decentralizimit, edukimit profesional dhe programeve për ndërtimin e kapaciteteve në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Organizatat do të punojnë së bashku drejt avancimit të një shoqërie më të qëndrueshme në aspektin demokratik, politik dhe ekonomik.

KLGI përmes këtij memorandum bashkëpunimi do të mbështesë Qendrën Al-Hayat në zhvillimin e kurikulës, moduleve, kritereve dhe zbatimin e programit të Akademisë për Qeverisje Lokale (AQL). AQL është program akademik që ka për qëllim forcimin e qeverisjes lokale përmes ofrimit të shërbimeve arsimore, shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës që prekin zyrtarë të pushtetit qendror dhe lokal.

Për më tepër, të dyja palët do të punojnë drejt promovimit të demokracisë lokale, avokimit dhe projekteve për pjesëmarrje të qytetarëve në Lindjen e Mesme dhe arenën ndërkombëtare. Ndër të tjera, në theks të veçantë do të jenë çështjet e përbashkëta dhe diversiteti në raport me funksionimin demokratik dhe procesin e shtet-ndërtimit në kontekstin e zhvillimit dhe tranzicionit.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale është institut “think-tank” i përkushtuar për forcimin e sistemit të decentralizuar të qeverisjes, hulumtimet e qeverisjes lokale, edukimit profesional, ngritjen e kapaciteteve dhe programeve trajnuese. KLGI është themeluar nga një grup ekspertësh të qeverisjes lokale dhe zhvillimit ndërkombëtarë në prill 2008. KLGI ka përvojë ndërkombëtare në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin perëndimor.

Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Al-Hayat është themeluar nga një grup i aktivistëve të rinj jordanezë në vitin 2006. Organizata ka angazhim të thellë ndaj zhvillimit rajonal dhe vlerave të qytetarisë globale. Qendra Al-Hayat ka shtrirje të fuqishme në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e zgjedhjeve, monitorimin e parlamentit, qeverisjen lokale, përmirësimin e zhvillimit politik, avokimi për të drejtave e njeriut dhe mbështetjen e tranzicionit demokratik në Lindjen e Mesme.

Lini një Përgjigje