Jordania merr shembull nga Kosova për pushtetin lokal

Ministri i Komunave të Mbretërisë së Jordanisë, Walid Al-Masri, gjatë një vizite studimore në Kosovë, është njohur drejtpërdrejt me funksionimin e komunave në shtetin tonë, pasi shteti Jordanez është në një proces të reformës dhe decentralizimit. Ministri Al-Masri, pas takimit me presidenten Jahjaga, i shoqëruar nga Drejtori Ekzekutiv i KLGI –së, Besnik Tahiri, kanë vizituar disa komuna të Kosovës.

Prishtine, 23 tetor – Ministri i Komunave të Mbreterisë së Jordanisë, Walid Al-Masri, ka përfunduar vizitën studimore një-javore në Republikën e Kosovës. Qëllimi i vizitës ka qenë njohja e drejtpërdrejt lidhur me funksionimin e komunave në Kosovë dhe aspektet e tjera që kanë të bëjnë me pushtetin lokal, pasi Jordania është në një proces të reformës dhe decentralizimit të pushtetit lokal.

Delegacioni Jordanez i kryesuar nga Ministri Al-MAsri gjatë qëndrimit në Kosovë është pritur edhe nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, me të cilen ka diskutuar rreth reformave që Kosova është duke i zhvilluar në rrafshin e qeverisjes lokale.

Në këtë takim, Al Masri dhe Jahjaga kanë theksuar se të dyja vendet kanë ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe se këto raporte duhet të thellohen edhe më shumë në rrafshin konkret të shkëmbimit të përvojave të përbashkëta. Gjatë kësaj vizite, ministri Al-Masri me bashkëpunëtore ka pasur takime të ndara edhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, me ministrin Ljubomir Mariq si dhe i ka vizituar gjashtë komuna; Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin, Graçanicën, Hanin e Elezit dhe Junikun. Kjo vizitë mund të cilësohet tejet e rëndësishme edhe për vetë faktin se ky delegacion ka ardhur që të mësojë nga procesi i decentralizimit dhe reformës në fushën e qeverisjes lokale.

Vizita e Delegacionit Jordanez është organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), i cili drejtohet nga Besnik Tahiri.

Tahiri shoqëroi Al-Masrin në gjashtë komuna

Ministri i Komunave i Mbretërisë se Jordanisë, Walid Al Masri, gjatë vizitës në Kosovë ka takuar kryetarin e komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryesuesin e Kuvendit, Kujtim Gashi dhe kryetarët e grupeve parlamentare në kuvendin e kësaj komune. Në këtë takim,  ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i KLGI-se, Besnik Tahiri. Fillimisht, kryetari Muja e ka njoftuar ministrin Masri me të arriturat e Prizrenit në arsim, kulturë, turizëm, shëndetësi, zhvillimin e ekonomisë lokale dhe për tema të tjera me interes. Fokus me interes për këtë takim kanë qenë modalitetet e qeverisjes lokale, funksionimi i kuvendit te komunës dhe mënyrat e zhvillimit të organeve lokale.

Ministri i komunave të Mbretërisë së Jordanisë, Wali Al Masri, ka thënë se Komuna e Prizrenit ka bërë shumë për ngritjen e kapaciteteve administrative dhe cilësinë e shërbimeve, prandaj sipas tij mund të shfrytëzohen si shembull i mirë edhe për pushtetin lokal në Jordani. Po ashtu, Ministri Walid Al Masri është takuar edhe me nën-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, nga i cili është njoftuar për sfidat dhe reformat në këtë komunë, në veçanti në fushën e planifikimit urban, administratës, politikave sociale, shëndetësisë primare, arsimit dhe zhvillimit ekonomik.

Ministri i komunave të Jordanisë, Walid Al-Masri e ka përfunduar viziten zyrtare në Kosovë, duke qëndruar edhe në komunen e Hanit të Elezit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Rufki Suma, i cili e ka informuar mysafirin e tij me funksionimin e administratës komunale dhe raportin e ekzekutivit dhe të legjislativit. 

Lini një Përgjigje