You are currently viewing KLGI mbajti konferencë në 15-vjetorin e decentralizimit

KLGI mbajti konferencë në 15-vjetorin e decentralizimit

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në 15-vjetorin e themelimit mbajti konferencën vjetore “Një dekadë e gjysmë nga decentralizimi – momentet kyçe dhe perspektiva”.  Ngjarja përshkroi tri dimensione kyçe: Zhvillimet, Trendët dhe Perspektiva e Qeverisjes Lokale; Përkrahjen e Qendrës për Zhvillimet Komunale; Partnerët zhvillimorë dhe Agjenda e përbashkët për komunat.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Valmir Gashi, paraqiti pikëpamjet e Institutit KLGI për qeverisjen lokale. Në theks, u shtrua nevoja për një agjendë të re, ku në qendër ka zhvillimin e qëndrueshëm dhe kontributin në procesin e integrimit evropian. Në kronologji përshkoi angazhimin direkt të KLGI-së në përkrahje të komunave dhe autoriteteve qendrore, në avancimin e qeverisjes lokale.

Ministri i MAPL-së, z. Elbert Krasniqi, vendosi theksin në angazhimin e ministrisë në avancimin e qeverisjes lokale, përmendi të arriturat e MAPL-së dhe komunave, duke marrë vlerësime nga Raporti për Vendin i Komisionit Evropian.

Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl, nënvizoi se decentralizimi si proces është vital për të siguruar funksionalitetin e mirë të sistemit të qeverisjes lokale, duke adaptuar praktikat më të mira të mundshme për qeverisje në nivel lokal.

Në një moment ceremonial, në këtë ngjarje u certifikua gjenerata e nëntë (IX) e programit të avancuar trajnues “Akademia për Qeverisje Lokale – LGA”, njëkohësisht u lansua gjenerata e dhjetë (X) të këtij programi. Ky ishte një rast i mirë për të krijuar sinergji mes akterëve në ndjekjen e trendëve bashkëkohorë dhe avancuar perspektivën evropiane në Komuna.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje