You are currently viewing KLGI organizoi vizitën studimore në Bashkinë e Tiranës

KLGI organizoi vizitën studimore në Bashkinë e Tiranës

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në kuadrin e projektit ‘Dialogu për Komuna Evropiane’ (Dialog for European Municipalities – DEM), organizoi vizitën studimore në Republikën e Shqipërisë. Një delegacion i zyrtarëve nga Komunat e Kosovës i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv në Institutin KLGI, z. Valmir Gashi, vizituan bashkinë e Tiranës.

Delegacioni u prit nga nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, drejtori i Përgjithshëm i Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, Genci Kojdheli dhe drejtoresha Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBShR), Andriola Kambo.

Qëllimi i vizitës ishte njohja dhe shkëmbimi i përvojave të mira rajonale. Specifikisht, ishte me interes të njihemi me rezultatet e Bashkisë së Tiranës në qasjen e fondeve IPA, si dhe me punën e njësisë bashkiake për integrim evropian dhe shkrimin dhe implementimin e projekteve në Bashkinë e Tiranës.

Pjesë e vizitës ishin zyrtarë nga gjashtë (6) Komuna të Kosovës (Ferizaj, Pejë, Gjilan, Lipjan, Klinë dhe Vushtrri), të cilët patën mundësin për të parë nga afër eksperiencat e Bashkisë së Tiranës, mbi sukseset në përfshirjen e programeve IPA.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) është institut (think-tank) lokal, i cili u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje