You are currently viewing Komunikimi efektiv, instrument për rritjen e besueshmërisë

Komunikimi efektiv, instrument për rritjen e besueshmërisë

Në kuadër të programit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mbajti punëtorinë me temën “Ngritja e kualitetit të komunikimit dhe PR në mes të komunave dhe akterëve të tjerë lokal”.

Kjo punëtori kishte për fokus zyrtarët për informim, mediat dhe shoqërinë civile pasi që shkëmbimi i pikëpamjeve, ideve dhe eksperiencave mes tyre në nivel lokal mund të sjell ekspertizën e duhur, e në të njëjtën kohë kuptim të plotë, angazhim dhe mbështetje. Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe z. Kujtim Gashi, Udhëheqës i Agjencionit për Shoqëri të Informacionit (AShI).

Punëtoria shërbeu për të ndihmuar komunat dhe akterët lokal në fuqizimin e komunikimit efektiv si mekanizëm i rëndësishëm për të përcaktuar agjendat e përbashkëta të zhvillimeve lokale. Andaj, u vlerësua se inputi i komunave dhe akterëve lokal për të zgjedhur problemet lokale do të ketë më shumë rëndësi në rast se komunikimi merr kahjen e duhur.

Në punëtori u përfshinë regjioni i Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës duke trajtuar tema që në thelb shtrojnë nevojën për intervenim dhe përmirësim të gjendjes në fushën e qeverisjes lokale në terren.

Punëtoria pati për synim edhe prezantimin e rëndësisë së komunikimit të brendshëm, formulimin e strategjive për komunikim efektiv, si dhe metodat e komunikimit efektiv përmes shpërndarjes së udhëzuesit për komunikim efektiv mes komunave dhe aktorëve tjerë lokal te pjesëmarrësit.

Përpos prezantimeve dhe diskutimeve të përbashkëta, pjesa e dytë e punëtorisë përfshiu edhe punë në grupe, me ç’rast pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe dhe ofruan zgjidhje për sfida/probleme specifike lidhur me komunikimin në nivel lokal.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.

Lini një Përgjigje