Kërkohet ndërveprimi i akterëve në funksion të rritjes së cilësisë në arsim

Institutit KLGI në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) mbajtën diskutimin publik me temën “Politikat e Arsimit në Nivel Lokal”, për të diskutuar lidhur me sfidat që ballafaqohet arsimi në nivel lokal si dhe për të identifikuar problemet dhe nevojat për intervenim në këtë fushë.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtoritë për Arsimit nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile.

Komunat ballafaqohen me shumë sfida në sektorin e arsimit, megjithatë duhet punuar që të përmirësohet përfshirja e fëmijëve në edukimin parashkollor, pasi kjo është periudhë jetësore dhe e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit, si dhe të shtohet përfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe e pjesëtarëve të grupeve shoqërore të margjinalizuara.

Para se gjithash të kemi një plan efektiv strategjik që kërkon gjithë-përfshirje, nivel të lartë të vetëdijes, fokus në rezultate, mbikëqyrje të afërt dhe sistematike, si dhe forcim të trekëndëshit nxënës-mësimdhënës-prind.

Prandaj, duhet zbatuar kurrikulat me kompetencë, të përmirësohet cilësia e teksteve mësimore dhe, mbi të gjitha, të përmirësohet cilësia e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit.

Përderisa MAShT-i është përgjegjës për ndërtimin e politikave, kurrikula, inspektim dhe për krijimin e kushteve optimale për punë në shkollë, komunat janë përgjegjëse për performancën e shkollave.

Megjithatë, me një përfshirje të përbashkët duhet ndërtuar një sistem, i cili ofron transparencë dhe llogaridhënie efektive në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të shkollave, një sistemit efikas për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së shkollës, si dhe rritjen e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve.

Parasëgjithash, shtrohet nevoja për një fokus dhe ndër-veprim më të madh në mes gjithë mekanizmave për adresimin e sfidave qofshin ato të financimit apo edhe funksionale. Definimi i qartë i detyrave dhe përgjegjësive do ta forcoj mekanizmin e kontrollit të cilësisë dhe rezultateve.

Pra, problemet janë të ndër-varura, ndërkaq zgjidhjet duhet të jenë sistematike, duke rritur mbështetjen dhe përfshirjen e gjithë akterëve se cili duhet të jetë modeli i edukimit dhe arsimimit për gjeneratat. Duke bërë edhe një analizë të nevojave dhe kërkesave të tregut dhe duke ofruar më shumë shkathtësi praktike për nxënësit.

Ky aktivitet është në shtyllën e përmirësimit të ciklit të politikave publike në nivel lokal dhe realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje