Administrata publike – mekanizëm kyç në zhvillimin e komunave
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi një sesion trajnimi me temë „Sfidat e administratës komunale drejt Reformës së Administratës Publike“, i cili u mbajt në Komunën e Vushtrrisë. Fokusi i sesionit të…
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi një sesion trajnimi me temë „Sfidat e administratës komunale drejt Reformës së Administratës Publike“, i cili u mbajt në Komunën e Vushtrrisë. Fokusi i sesionit të trajnimit ishte Pakoja e ligjeve për administratën publike, e cila përfshin Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, Ligjin për zyrtarët publikë dhe Ligjin për pagat.
Në këtë sesion trajnimi morën pjesë zyrtarë komunalë, drejtorë dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga shtatë (7) komuna të Republikës së Kosovës (Mitrovicë, Vushtrri, Drenas, Klinë, Podujevë, Kamenicë dhe Partesh). Ishte një mundësi e mirë për pjesëmarrësit që të thellojnë njohuritë dhe praktikat e tyre lidhur me rëndësinë e administratës komunale pas miratimit të pakos së ligjeve.
Ligji për zyrtarët publikë synon të krijojë një kornizë ligjore për punësimin e zyrtarëve publikë bazuar në meritë, integritet moral, paanshmëri dhe qëndrueshmëri. Ky projektligj rregullon marrëdhëniet e punës për të gjithë zyrtarët publikë, me përjashtim të zyrtarëve që kanë status të veçantë publik.
Ligji për pagat përcakton sistemin e pagave për zyrtarët publikë, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të të punësuarve në ndërmarrjet publike në Republikën e Kosovës. Ky projektligj krijon një sistem të njëtrajtshëm të pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, duke përcaktuar pagën dhe përbërësit e saj.
Ligji për administratën shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës. Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i një kornize ligjore koherente për themelimin, llogaridhënien dhe performancën e këtyre institucioneve.
Pas përfundimit të sesionit, pjesëmarrësit vizituan vendet e trashëgimisë kulturore dhe historike në Komunën e Vushtrrisë.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme (SSSM)“, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.