Instituti KLGI dhe komunat eksplorojnë nisma inovative në fushën e qeverisjes lokale

Përfaqësuesit e Institutit KLGI u pritën në takim nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ku u diskutua për perspektivat dhe sfidat e nivelit lokal. Kjo vizitë u organizua në kuadër të serisë së…

Përfaqësuesit e Institutit KLGI u pritën në takim nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ku u diskutua për perspektivat dhe sfidat e nivelit lokal. Kjo vizitë u organizua në kuadër të serisë së mentorimeve që u ofrohen komunave të vogla që kanë nevojë për asistencë teknike dhe profesionale. Ndërhyrja konkrete buron nga projekti „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme (SSSM)“, i cili mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Përfaqësuesit e Institutit KLGI dhe z. Kastrati diskutuan për financimin e komunave, me fokus të veçantë te komunat që kanë territore më të mëdha, si dhe për ndikimin që ka formula e financimit për shkak të numrit të banorëve në komuna.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, me theks te kufizimet e shfrytëzimit të pronës nga palët e treta për një periudhë katërvjeçare. Kjo pritet të adresohet në komisione pas leximit të dytë, duke u mundësuar kështu komunave të ofrojnë pronën në shfrytëzim, duke siguruar që prona të përfaqësojë një interes afatgjatë për zhvillimin ekonomik lokal.

Gjatë takimit, fokus i veçantë iu kushtua forcimit të politikave të bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe atyre në Evropë, si mundësi për shkëmbimin e praktikave dhe modeleve, si dhe për gjetjen e formave të bashkëpunimit në fushat e arsimit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik. Përveç kësaj, u ra dakord që të zhvillohen vizita rajonale me qëllim të njohjes së praktikave të mira në thithjen e fondeve zhvillimore.

Kryetari Kastrati prezantoi një koncept të avancuar të bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërkulturor si qëllim të përbashkët për arritjen e objektivave të integrimit dhe për fuqizimin e nivelit lokal. Mbështetja e shtuar nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë është e nevojshme për promovimin e një modeli të ri të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës.

Instituti KLGI u ftua të jetë pjesë e platformës që po ndërtohet për përmirësimin e politikave dhe rritjen e cilësisë në fushën e arsimit në Komunën e Kamenicës.

Instituti KLGI do të vazhdojë agjendën e takimeve me komunat e vogla me qëllim të adresimit të temave me interes për nivelin lokal.

Ky aktivitet është organizuar në kuadër të projektit „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme (SSSM)“, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Më shumë lajme

Të gjitha lajmet