Instituti KLGI dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal organizuan një punëtori për të diskutuar objektivat e strategjisë së zhvillimit rajonal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR), organizoi punëtorinë e radhës me grupin punues për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Rajonal 2020–2030. Ky…

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR), organizoi punëtorinë e radhës me grupin punues për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Rajonal 2020–2030. Ky diskutim është në kuadër të mbështetjes që Instituti KLGI u ofron institucioneve në hartimin e politikave / legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.

Gjatë takimit u diskutuan objektivat strategjike që do të përcaktohen në këtë dokument strategjik. Kjo strategji përcakton qëllimet dhe prioritetet afatgjata për zhvillimin rajonal, duke lehtësuar njëkohësisht koordinimin e politikave, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve. Para së gjithash, ajo shërben si udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik lokal përmes ndërmarrjes së nismave dhe zbatimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore.

Megjithatë, analiza socio-ekonomike rajonale dhe identifikimi i prioriteteve do të ndihmojnë një zhvillim rajonal të qëndrueshëm. Në këtë kontekst, zhvillimi rajonal ka të bëjë me integrimin e politikave dhe programeve të ndryshme, duke krijuar sinergji të reja, duke përmirësuar koordinimin dhe duke përfshirë komunitetet lokale në formulimin dhe zbatimin e politikave konkrete.

Kjo strategji do të përfundohet pas një studimi të gjatë dhe përpjekjeve të përbashkëta të të gjitha palëve të interesit, duke i përmbushur objektivat e saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në rajon.

Instituti KLGI, përmes programeve të tij, do të vazhdojë të mbështesë institucionet në hartimin e politikave dhe legjislacionit që prekin fushën e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme“, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë.

Më shumë lajme

Të gjitha lajmet