Instituti KLGI organizoi një vizitë studimore të grupit punues në Shërbimin Social Shtetëror në Republikën e Shqipërisë.
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale po organizon një punëtori treditore (30 maj – 1 qershor) në Republikën e Shqipërisë me Grupin Punues për përgatitjen e formulës së financimit për Grantin e Veçantë për Shërbime…
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale po organizon një punëtori treditore (30 maj – 1 qershor) në Republikën e Shqipërisë me Grupin Punues për përgatitjen e formulës së financimit për Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale në Republikën e Kosovës.
Në ditën e parë të vizitës, delegacioni u prit në Shërbimin Social Shtetëror të Republikës së Shqipërisë nga zëvendësdrejtoresha e përgjithshme, Lida Leskaj, për t’u njohur nga afër me procesin e reformës në fushën e financimit të shërbimeve sociale në Republikën e Shqipërisë.
Takimi u përqendrua te procesi i reformës që është ndjekur nga Republika e Shqipërisë, në veçanti te arritjet në krijimin e një standardi të veçantë për ofrimin e shërbimeve sociale, i cili përfaqëson një model të mirë të reformave në rajon.
Grupi Punues u njoh nga afër me arritjet, sfidat dhe mësimet që mund të përshtateshin në kontekstin e Republikës së Kosovës në këtë proces.
Metodologjia e financimit të shërbimeve sociale e zbatuar në Republikën e Shqipërisë është një mekanizëm përmes të cilit ofrohet mbështetje financiare për përmirësimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve sociale ekzistuese, për planifikimin dhe krijimin e shërbimeve të reja që mungojnë, si dhe për zhvillimin e politikave sociale në nivelin qendror dhe lokal.
Një mekanizëm i tillë mundëson financimin në të gjithë territorin, duke balancuar shpërndarjen e tij sipas nevojave në nivelin lokal.
Formula e financimit për shërbimet sociale në Republikën e Kosovës, e cila po përgatitet nga Grupi Punues, synon të ofrojë një mekanizëm për të siguruar financimin e standardeve minimale dhe të politikave të reja për këto shërbime.
Gjatë vizitës do të mbahet një punëtori dyditore e grupit punues për përgatitjen e formulës së financimit për Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale në Republikën e Kosovës.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme (SSSM)“, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë.