KLGI dhe DEMOS mbështesin takimin e Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në partneritet me DEMOS, mbështeti takimin e radhës të Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale, për të diskutuar koordinimin e punës së organizatave të forumit dhe…
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në partneritet me DEMOS, mbështeti takimin e radhës të Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale, për të diskutuar koordinimin e punës së organizatave të forumit dhe hartimin e një agjende të përbashkët ndaj qeverisjes lokale.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit në dy grupe punuese diskutuan dhe trajtuan çështje lidhur me qëndrimin e shoqërisë civile për tema si: qeverisja e brendshme / administrata lokale; qeverisja e mirë; performanca komunale; financat lokale dhe zhvillimi ekonomik; çështjet sektoriale ndërqeveritare (grantet specifike); çështjet sektoriale komunale; çështjet sociale dhe problemet e përsëritura (të shtresëzuara, sistematike).
Është jashtëzakonisht e rëndësishme të forcohet bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve lokale, duke përcaktuar qëllime strategjike dhe një agjendë të përbashkët veprimi, në shërbim të forcimit të demokracisë në nivelin lokal.
Pas kësaj punëtorie, do të hartohet një dokument i qëndrimeve të shoqërisë civile për organet e reja komunale që do të dalin pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Dokumenti do të analizojë gjendjen aktuale të fushave të qeverisjes lokale dhe propozimet e forumit për procesin dhe hapat që duhet të ndërmarrin organet e reja komunale për zgjidhjen e problemeve të identifikuara. Para së gjithash, dokumenti do t’u shërbejë organizatave të shoqërisë civile për adresimin e çështjeve që duhet të trajtohen dhe të prioriteteve që duhet të vendosen.
Forumi Konsultativ për Qeverisje Lokale është një mekanizëm i përbashkët konsultativ i themeluar nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe disa organizata të shoqërisë civile që fokusohen në qeverisjen lokale në Kosovë. Forumi u themelua për të diskutuar zhvillimet, temat, projektet dhe idetë për qeverisjen lokale në Kosovë, me qëllim që së bashku të promovojnë, të kontribuojnë dhe të avokojnë për zhvillimin e mëtejshëm të vetëqeverisjes lokale.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit „Dialogu për Komunat Evropiane (DEM)“, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.