You are currently viewing Mos-përfshirja dhe fragmentarizimi rrezikojnë kohezionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Mos-përfshirja dhe fragmentarizimi rrezikojnë kohezionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti punëtorinë për çështjet që ndërlidhen me shërbimet sociale me titull “Përmirësimi i Cilësisë së Shërbimeve Sociale dhe Objektivat Nacionale për Zhvillimin e Politikave Sociale”.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin zyrtarë nga komunat e Republikës së Kosovës të cilët patën rastin të bashkëbisedojnë, debatojnë dhe marrin njohuri përmes ligjëratave të ofruara nga Udhëheqësi i Divizionit për Mirëqenie Sociale, Mentor Morina dhe Udhëheqësi i Divizionit per Skema Sociale, Fehmi Ibrahimi.

Nga sesionet e punëtorisë, ligjëruesit ofruan një pasqyrë të sfidave/problemeve, politikave dhe vizionit në fushën e ofrimit të shërbimeve sociale. U pa qartë se komunat, përkatësisht qendrat për punë sociale dhe divizionet e tjera që ofrojnë shërbime të tilla, ende mbeten të sfiduara nga ky proces. Në mënyrë që të hartohen politika sa më të qëndrueshme, është e rëndësishme që të ketë shmangie të politikave ad-hoc, njëherësh të ketë vetëdijesim, bashkëpunim dhe koordinim në mes të gjithë akterëve.

U.d. Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, theksoi se përfshirja sociale ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave. Në qoftë se institucionet lokale nuk kanë komunikim dhe bashkë-veprim me institucionet qendrore, nuk mund të sigurohen mekanizma që garantojnë mirëqenie dhe zhvillim të qëndrueshëm në komuna. Vendet të cilat përjashtojnë, fragmentojnë dhe nuk përfshijnë individë apo grupe në vendim-marrje, rrezikojnë ecjen si shtet dhe shoqëri.

Udhëheqësi i Divizionit për Mirëqenie Sociale, Mentor Morina, theksoi se në nivel lokal nuk ka fokus të veçantë të prioriteteve për shërbime sociale. Andaj, është e rëndësisë së veçantë që Kryetarët e Komunave, bashkë me strukturat, ti vendosin disa nga shërbimet sociale si prioritete përgjatë mandatit të tyre.

Ndërkaq, Udhëheqësi i Divizionit për Skema Sociale, Fehmi Ibrahimi, prezantoi lidhur me përjashtimin dhe përfshirjen sociale në Republikën e Kosovës. Z. Ibrahimi ka theksuar se në rast se ndonjë individ apo grup për shkak të gjendjes sociale, ekonomike apo politike është i përjashtuar, është përgjegjësi e shtetit që ti ofrojë mundësi për jetë të mirëqenë.

Në fushën e shërbimeve dhe mirëqenies sociale dalin sfida shumë nivelore dhe shumë dimensionale. E para lidhet me përplasjen e legjislacionit, e dyta lidhet me fragmentimin e politikave, e treta me mungesën e kapaciteteve dhe standardeve të ofrimit të shërbimeve dhe e katërta me financimin e paqëndrueshëm. Ishte konkluzion i përbashkët se segmentimi i veçantë për çështje sociale dhe zgjidhja përmes grantit specifik do të hapte rrugë për zgjidhje të qëndrueshme për kategoritë që preken nga shërbimet dhe skemat sociale.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Lini një Përgjigje