You are currently viewing Reforma e pjesshme dëmton sistemin dhe funksionalitetin e komunave

Reforma e pjesshme dëmton sistemin dhe funksionalitetin e komunave

Në kuadër të Modulit të tretë të programit Akademia për Qeverisje Lokale, Instituti KLGI ka organizuar diskutimin mbi nevojën e rishikimit funksional të qeverisjes lokale dhe përafrimin me modelet evropiane të funksionimit të komunave.

Në sesionet e ndara u trajtua tema “Organizimi dhe Funksionimi i Qeverisjes Lokale në Evropë” duke pasqyruar modelet dhe praktikat e mira në këtë fushë.

Ligjërues në këtë modul ishin Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Per Strand Sjaastad dhe Menaxher i Programeve në DEMOS, Norbert Pijls. Përveç përvojës që ata sjellën nga vendet që vijnë, ata njëkohësisht njohin edhe modelin e Kosovës përmes angazhimit të tyre direkt në fuqizimin e qeverisjes lokale. Andaj kjo ishte një mundësi e mirë e krahasimit të modeleve nisur nga organizimi, struktura dhe mënyra e ofrimit të shërbimeve.

Duke pasur parasysh se komunat janë dora e parë e shtetit në ofrimin e shërbimeve, ky modul ka shërbyer edhe si mundësi reflektimi për rrugën që duhet ndjekur drejt reformave në përqafimin e modelit evropian.

Ambasadori i Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë, Per Strand Sjaastad, ka folur për sistemin e Qeverisjes Lokale në Norvegji. Ai ka potencuar se një qeveri qendrore është e mirë vetëm atëherë kur qeverisja lokale nuk ka probleme dhe zhvillohet në mënyrë të rregullt. Ai ka thënë se komuna është dora e parë e një shteti me rëndësi.

Ndërkaq, Drejtori Besnik Tahiri theksoi trendin e shtetit të Norvegjisë që të ketë më pak komuna e më shumë përgjegjësi dhe mbi këtë formë të konceptohet decentralizimi. Tahiri ka theksuar se sfida kryesore qëndron te kapaciteti financiar dhe diferenca ekonomike në mes të komunave urbane dhe rurale. Çështja e dytë sfiduese ka të bëjë me kapacitetin administrativ ku ka një çalim serioz në procesin e vendim-marrjes politike.

Menaxheri i Programeve në DEMOS, Norbert Pijls, ka bërë një krahasim të sistemit qeverisës mes Republikës së Kosovës dhe Holandës. U konkludua se dallimi kryesor në nivelin lokal është se në Holandë kryetari i komunës emërohet nga Mbreti, ndërkaq në Kosovë zgjidhet direkt nga qytetarët. Ai ka diskutuar edhe për çështje tjera të rëndësishme siç janë: sanksionimi i komunave për qytetarët, bashkëpunimi ndër-komunal dhe shkollat e profesionalizuara.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale është duke ofruar një program substancial në fushën e qeverisjes lokale, që njihet si Akademia për Qeverisje Lokale (LGA), e para e këtij lloji në Republikën e Kosovës. LGA është dizajnuar të shërbejë si platformë dhe mënyrë e edukimit jo formal për zyrtar dhe lider komunal të qeverisjes lokale. Qëllimet e LGA përqendrohen në përkrahjen e qeverisjes dhe demokratizimit lokal në Kosovë.

Në kuadër të programit janë 30 anëtarë, një nivel i lartë i përfaqësimit të komunave pjesëmarrëse: Prishtinë, Suharekë, Dragash, Mamushë dhe Kllokot. Në këtë grup janë përfshirë edhe anëtarë nga MAPL, Zyra Kombëtare e Auditorit dhe Shoqëria Civile. 

Lini një Përgjigje