You are currently viewing Vushtrria, sprovë e një lidershipi të ri në nivel lokal

Vushtrria, sprovë e një lidershipi të ri në nivel lokal

Në kuadrin e takimeve me lidershipin lokal, përfaqësuesit e Institutit KLGI u pritën nga Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri, nën-kryetari i komunës, z. Besim Muzaqi dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Nasuf Aliu.

Në këtë takim, z. Tahiri fillimisht përgëzoi lidershipin e ri për një frymë tejet ekipore dhe bashkëpunuese duke pasur parasysh se koalicioni në këtë komunë paraqet një model të veçantë të tejkalimeve të dallimeve politike në funksion të zhvillimit të një lidershipi transformues në komuna.

Paraprakisht, Tahiri theksoi se Komuna e Vushtrrisë mund ti ofrojë komunave një shembull të ri se si bashkëpunimi dhe vizioni i përbashkët mund të forcojë demokracinë në nivelin lokal. Përtej kësaj, ky është edhe një obligim tejet i madh që ky lidership ka marrë, jo vetëm për të reprezentuar subjektet por para së gjithash për ta promovuar modelin e një kulture të re qeverisëse. Ky do të jetë një test, e njëkohësisht një shteg që personalitete me background nga politika në nivelin qendror të reprezantojnë dhe të ballafaqohen me sfidat e nivelit lokal.

Përfaqësuesit e Institutit KLGI u zotuan se përveç fushave që shtrihet projekti SSSM është i domosdoshëm që bashkë me partnerët dhe donatorët të projektohet një qasje e re e mbështetjes për komunat që për synim do të kishte hartimin e një agjende transformuese duke bërë një lëvizje nga administrimi i shërbimeve në një qeverisje më zhvillimore dhe më e orientuar nga arritjet e objektivave strategjike.

Për këtë, Instituti KLGI bashkë me komunat në takime me përfaqësues, qoftë politik apo ata sektorial, është duke u angazhuar në hartimin e një platforme që do të vendos synime strategjike të nivelit lokal në dekadën e re që e pret pas decentralizimit. Kjo jo vetëm si mekanizëm që do të ndihmonte komunat, por para së gjithash si një ri-projektim dhe synim i vendit në forcimin e themeleve evropiane në nivelin lokal. Këtu duhet të ketë edhe një qartësi të plotë në mes të nivelit politik, qoftë në dhënien e vizionit dhe atij të shërbyesve civilë apo në atë struktural.

Në funksion të kësaj dalin disa çështje kyçe: e para, me atë se duhet kthyer në masë të madhe fokusi i institucioneve qendrore zhvillimi i këtij niveli, qoftë nëpërmes politikave, legjislacionit dhe financimit, e njëkohësisht niveli lokal do të duhej të projektonte standarde të reja, qoftë të demokratizimit, zhvillimit të qëndrueshëm, kohezionit social dhe ofrimit të shërbimeve. Këtu nuk duhet harruar edhe një qasje të re planifikuese duke pasur parasysh se tashmë komunat vetëm se kanë arritur një stad të zhvillimit të infrastrukturës.

Andaj, hapja e shtigjeve të reja për investime në master plane zhvillimore do të shmangte copëzimin e politikave dhe buxhetit, njëherësh do të kishte fokus zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të projektuara. Këtu duhet pasur parasysh edhe zhvillimin policentrik, estetikën urbane, e njëherësh edhe inovacionin në zhvillimin e politikave dhe projekteve.

Lini një Përgjigje