You are currently viewing Administrata publike, parakusht për implementim efikas të politikave publike

Administrata publike, parakusht për implementim efikas të politikave publike

Në kuadër të programit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, Instituti KLGI mbajti vizitën studimore në institucionet e Republikës së Shqipërisë e që për synim kishte njohjen me procesin e reformës në administratën publike; menaxhimin e integruar të shërbimeve administrative dhe fushën e trajnimit të administratës publike. Në takime të ndara, pjesëmarrësit patën rastin të njihen me punën e Shkollës Shqiptare për Administratë Publike (ASPA) dhe Agjencisë për Ofrimin e Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) në Republikën e Shqipërisë.

Fillimisht, drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, foli për nevojën e bashkëpunimit dhe marrjes së praktikave të mira nga Shqipëria në procesin integrues të të dyja vendeve. Me këtë rast, z. Tahiri hapi diskutimin duke theksuar se në vendet e zhvilluara nuk është më debat qeverisja e mirë, e kjo për dy arsye: e para se është kthyer në normë dhe kulturë; dhe e dyta se ekziston një mbikëqyrje dhe llogaridhënie e avancuar, ku në rast shmangieje janë të qarta pasojat.

Andaj, edhe vetë nocioni i decentralizimit funksional dhe të qëndrueshëm ndërlidhet me procesin e ofrimit të shërbimeve të shpejta. Digjitalizimi i shërbimeve ka ndryshuar edhe vetë dimensionet dhe konceptet e decentralizimit. Pra, çelësi i suksesit është inovacioni në ushtrimin dhe ofrimin e shërbimeve.

Ndërkaq z. Fatmir Demneri, drejtor i ASPA, falënderoi Institutin KLGI për vizitën dhe shprehën vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë në funksion të përvojave përgjatë procesit të reformave në Kosovë. Me këtë rast, ai prezantoi para pjesëmarrësve vizionin dhe përkushtimin e ASPA lidhur me procesin e reformave, hapat e ndërmarrë drejt rritjes së standardeve të ofrimit të shërbimeve publike; përpjekjet dhe fuqizimin e kapaciteteve të administratës në hartimin dhe implementimin e politikave publike.

Ndërkaq, në aspektin e rritjes së kapaciteteve të administratës u theksua se është tetë-fishuar numri i zyrtarëve të trajnuar nga Shkolla e Administratës Publike (ASPA). Megjithatë, ende këto kapacitete janë të pa mjaftueshme në plotësimin e standardeve evropiane.
Ndër të tjera u tha se ASPA ka rol kyç në vlerësimin e nevojave për trajnime në një periudhë tri vjeçare e po ashtu së bashku me Departamentin e Administratës Publike kryejnë matje të performancës së administratës në çdo katër vite. Përderisa sistemi i administratës është unik, lejohet promovimi dhe lëvizja brenda-institucionale e stafit. Ndërkaq, ASPA ka përgjegjësi edhe në vlerësimin e stafit fillestar në punën provuese ku në rast se nuk merr vlerësimin pozitiv nuk mund të futesh në sistemin e administratës.

Po ashtu u pa ndërlidhja e decentralizimit dhe dekoncentrimit të shërbimeve të integruara publike në kuadër të ADISA në Kavajë. Vizita kishte për qëllim informimin e pjesëmarrësve rreth modeleve të avancuara të ofrimit të shërbimeve publike për qytetarë që ofrohen nga kjo qendër.

ADISA është krijuar si përgjigje e nevojës së qytetarëve të Shqipërisë për shërbime publike efikase, cilësore dhe transparente, ku si mision të veprimtarisë ka ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office) si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop) për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse.

Nga vizita u pa se administrata ka procese dhe procedura të standardizuara duke shmangur debatet dhe interpretimin e llojllojshëm të procedurave dhe dokumentacionit nga administrata shtetërore. Pra “shteti duhet të ketë një fytyrë” ku secili shërbyes duhet të interpretojë procedura të qarta dhe të sakta.

“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”. 

Lini një Përgjigje