Drejtori Ekzekutiv i KLGI, Valmir Gashi, mori pjesë në Konferencën e Parë Rajonale të Programit ReLOaD3, organizuar nga UNDP dhe financuar nga Bashkimi Evropian, më 12–13 nëntor 2025 në Shkup. Konferenca u fokusua në forcimin e qeverisjes lokale, transparencës dhe rolit të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.
Në prezantimin e tij, Gashi paraqiti përvojën e Institutit KLGI, duke u ndalur në dy dimensione thelbësore: procesin e financimit publik në komuna dhe konsultimet publike në nivel lokal. Ai ndau të dhëna dhe gjetjet kryesore nga monitorimet shumëvjeçare të KLGI, si dhe angazhimin e institutit në përmirësimin e këtyre proceseve.
Gjatë punimeve të konferencës u zhvilluan sesione plenare, panele të dedikuara dhe grupe pune interaktive, me fokus në: forcimin e kapaciteteve të qeverisjes lokale; rolin e shoqërisë civile në vendimmarrje; transparencën e financimit publik; praktikat e suksesshme rajonale; avancimin e qasjes participative; zhvillimin e mekanizmave inovativë lokalë; si dhe diskutimin e prioriteteve të integrimit evropian dhe agjendave reformuese.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të komunave, organizatave të shoqërisë civile, Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera partnere nga i gjithë rajoni.
