You are currently viewing Është e nevojshme ngritja e kapaciteteve të komunave për aplikim në fondet zhvillimore/IPA

Është e nevojshme ngritja e kapaciteteve të komunave për aplikim në fondet zhvillimore/IPA

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi Webinarin me temën “Praktikat e mira të rajonit për pjesëmarrje në fondet zhvillimore të BE-së”. Pjesëmarrës ishin zyrtarë nga Drejtoritë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe zyrtarë për Integrime Evropiane nga gjashtë komuna: Ferizaj, Gjilan, Pejë, Lipjan, Klinë dhe Vushtrri.

Ky aktivitet është pjesë e komponentit të ngritës së kapacitetit të komunave në: hartimin e programeve të politikave publike komunale; dokumenteve dhe strategjive komunale; dizajnimin e projekteve zhvillimore; ndërlidhjen me programet nacionale dhe partnerët zhvillimorë; sistemeve të integruara të politikave publike dhe kalendarit të proceseve; avancimin/shkëmbimin e praktikave, nxitjen e inovacionit dhe ndjekjen e trendëve.

Qëllimi i takimit ishte të analizojë/trajtojë progresin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen komunat në përgatitjen e projekteve për pjesëmarrje në fondet zhvillimore të BE-së. Njëkohësisht, u diskutua për praktikat dhe modelet e vendeve të rajonit për qasjen në fondet e IPA-së. Është e nevojshme ngritja e kapaciteteve dhe strukturave të brendshme të komunave në përgatitjen e projekteve për aplikim në fondet zhvillimore/IPA, të cilat përveç që ndikojnë në zhvillim ekonomik lokal dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, janë qenësore edhe në proceset euro-integruese.

Instituti KLGI ka dizajnuar një program të avancuar trajnues për politikbërësit dhe zyrtarët komunalë për konsolidimin dhe ngritjen e kapaciteteve në fushën e politikave strategjike dhe zhvillimore komunale. Në kuadër të këtij programi është planifikuar edhe një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë, për t’u njohur nga afër me rezultatet dhe sukseset e Bashkisë së Tiranës në qasjen e fondeve IPA.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje