You are currently viewing Të sigurohet mbështetje financiare për ofrimin e shërbimeve sociale

Të sigurohet mbështetje financiare për ofrimin e shërbimeve sociale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale (LGA) vazhdoi me ditën e dytë të punëtorisë me temën “Mirëqenia Sociale dhe Shërbimet Sociale”.

Qëllimi i takimit është që të rriten njohuritë e pjesëmarrësve për modelin e decentralizimit të shërbimeve sociale, ofrimin e shërbimin dhe financimin e tyre. Gjithashtu gjatë trajnimit u diskutua edhe për bazën ligjore që i rregullojnë shërbimet sociale në Republikën e Kosovës.

Politikat sociale janë një grup politikash publike që synojnë sigurimin e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale si një kërkesë morale dhe politike. Para së gjithash, komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm, në ofrimin e shërbimeve familjare dhe shërbimeve të tjera të mirëqenies sociale.

Megjithatë, është evidente që institucionet shtetërore duhet të sigurojnë mbështetje të përshtatshme financiare për ofrimin e shërbimeve sociale, pasi që kjo paraqet një investim efektiv dhe një element thelbësor në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në këtë aspekt, planet komunale për shërbime sociale, janë instrument i rëndësishëm dhe mund t’i paraprijnë rritjes së koordinimit dhe efikasitetit në zbatimin e politikave të reja, Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare, si dhe ligjet tjera që synojnë rregullimin e politikave sociale në Republikën e Kosovës.

LGA është program i avancuar i trajnimit që ka në fokus elaborimin e konceptit modern të qeverisjes lokale përmes moduleve trajnuese të cilat ofrohen në formë të ligjëratave, diskutimeve, punës në grupe, shkëmbimit të informacionit dhe vizitave studimore.

KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze në Prishtinë.

Lini një Përgjigje