You are currently viewing KLGI organizoi punëtorinë për matjen e performancës komunale

KLGI organizoi punëtorinë për matjen e performancës komunale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), vazhdoi me ditën e dytë të punëtorisë me temën “Matja e Performancës Komunale”.

Në këtë punëtori theks të veçantë kishte Projektligji për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Granti për Performancë. Pjesëmarrës ishin anëtarë të kuvendeve komunale nga regjioni i Prishtinës. Nëpërmjet hartimit të Projektligjit për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantit për Performancë, synohet të ndërtohet një standard i ri i matjes së funksionimit të komunave.

Ky ligj synon të rregullojë sistemin e matjes së performancës komunale që prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet 119 indikatorëve në 19 fushave të kompetencave që janë në përgjegjësi të tyre bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Matja dhe menaxhimi i performancës komunale është i domosdoshëm për të parë funksionalitetin e komunave dhe përmbushjen e kompetencave të tyre. Në fokus të këtij ligji, është sigurimi i qeverisjes së mirë, financimi dhe ofrimi i shërbimeve efikase dhe efektive në nivel lokal. Kjo, shtyn organet vendimmarrëse komunale, organizatat dhe qytetarët të bëjnë vlerësime të kualitetit të shërbimeve që ata ofrojnë ndaj qytetarëve.

Ky takim ishte në kuadër të përkrahjes së Institutit KLGI për komunat dhe institucionet qendrore në hartimin e politikave të reja në fushën e qeverisjes lokale.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje