You are currently viewing KLGI organizoi vizitë studimore të grupit punues në Shërbimin Social Shtetëror në Republikën e Shqipërisë

KLGI organizoi vizitë studimore të grupit punues në Shërbimin Social Shtetëror në Republikën e Shqipërisë

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale po organizon punëtorinë treditore në datat (30 Maj – 1 Qershor) në Republikën e Shqipërisë me Grupin Punues për përgatitjen e formulës së financimit për Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale në Republikën e Kosovës.

ditën e parë të vizitës, delegacioni u prit në Shërbimin Social Shtetëror të Republikës së Shqipërisë nga Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme, znj. Lida Leskaj, për t’u njohur nga afër me procesin e reformës në fushën e financimit të shërbimeve sociale në Republikën e Shqipërisë.

Takimi u fokusua në procesin e reformës që ka ndjekur Republika e Shqipërisë, në veçanti të arriturat në krijimin e standardit të veçantë për ofrimin e shërbimeve sociale, e cila paraqet një model të mirë të reformave në rajon.

Grupi Punues u njoh për së afërmi me të arriturat, sfidat dhe mësimet që mund të adaptohen në kontekstin e Republikës së Kosovës në këtë proces.

Metodologjia e financimit të shërbimeve sociale e cila aplikohet në Republikën e Shqipërisë është mekanizëm, nëpërmjet të cilit sigurohet mbështetje financiare, me qëllim përmirësimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve ekzistuese sociale; planifikimin dhe krijimin e shërbimeve të reja të munguara, si dhe zhvillimin e politikave sociale në nivel qendror dhe vendor.

Një mekanizëm i tillë mundëson financimin në të gjithë territorin, duke balancuar edhe shpërndarjen e tij sipas nevojave në nivel lokal.

Formula e financimit për shërbimet sociale në Republikën e Kosovës e cila është duke u përgatitur nga Grupi Punues mëton të garantojë një mekanizëm për të siguruar financimin e standardeve minimale dhe politikave të reja për këto shërbime.

Në kuadër të vizitës do të mbahet punëtoria dy ditore e grupit punues për përgatitjen e formulës së financimit për Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale në Republikën e Kosovës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje