KLGI mbajti punëtorinë në kompletimin e Draft-Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Rajonal (MZHR) mbajti punëtorinë për inkorporimin e pjesës së dytë të komenteve të Zyrës për Planifikim Strategjik në kompletimin e…

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Rajonal (MZHR) mbajti punëtorinë për inkorporimin e pjesës së dytë të komenteve të Zyrës për Planifikim Strategjik në kompletimin e Draft-Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030.
Takimi kishte për synim diskutimin dhe kompletimin e objektivave strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik me fokus te plani i veprimit, indikatorët dhe impakti financiar i strategjisë. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ministria për Zhvillim Rajonal dhe nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit.
Strategjia për Zhvillim Rajonal përcakton kuadrin strategjik për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të vendit.
Kjo strategji ka për qëllim përcaktimin dhe prioritetet afatgjata të zhvillimit rajonal dhe mundëson koordinimin e politikave tjera sektoriale për zhvillim socio-ekonomik rajonal të balancuar në Kosovë. Para së gjithash, përmban objektiva të përcaktuara qartë, parasheh realizimin e veprimeve dhe funksionimin e mekanizmave, që mundësojnë arritjen e këtyre prioriteteve strategjike të fushës së zhvillimit rajonal dhe koordinimin ndër-institucional.
Zhvillimi rajonal i balancuar ka për qëllim uljen e dallimeve në aspekt të zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës në rajone zhvillimore. Zhvillimi rajonal i balancuar nuk mund të arrihet pa ngritjen e kapaciteteve të rajoneve në mënyrë që të ketë një konkurrencë të mirëfilltë ndër rajonale.
Ky diskutim ishte në kuadrin e platformës së konsultimeve që po ofron Instituti KLGI për Institucionet për gjatë hartimit të politikave dhe legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.