Zhvillimi ekonomik lokal kërkon agjendë të përbashkët të akterëve në funksion të zhvillimit
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti një sesion trajnimi me temën „Korniza e financave lokale dhe planifikimi financiar“, i cili synonte të nxirrte në pah problemet e komunave, duke ofruar rekomandime /…
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti një sesion trajnimi me temën „Korniza e financave lokale dhe planifikimi financiar“, i cili synonte të nxirrte në pah problemet e komunave, duke ofruar rekomandime / propozime konkrete për lehtësimin dhe përmirësimin e procesit të planifikimit buxhetor.
Pjesëmarrës në këtë sesion trajnimi ishin drejtorët e drejtorive për buxhet dhe financa nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Është shumë e rëndësishme që komunat të shqyrtojnë mundësitë e financimit për të arritur planifikim të qëndrueshëm dhe për të ruajtur stabilitetin financiar.
Për ta vënë buxhetin në funksion të zhvillimit, është e nevojshme të avancohet ndërlidhja e planifikimit të politikave me planifikimin buxhetor. Prandaj, gjatë procesit buxhetor përcaktohet lidhja ndërmjet prioriteteve strategjike të zhvillimit të komunave dhe planifikimit fiskal afatmesëm, veçanërisht duke përfshirë informacionin mbi performancën sipas programeve buxhetore dhe klasifikimit funksional.
Drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, në hapje të sesionit të trajnimit, theksoi Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, duke thënë se grupi punues dhe palët e tjera të interesit kanë bërë punë të mirë me këtë ligj dhe rezultatet do të shihen së shpejti. Por kur jemi te planifikimi buxhetor, është shumë e rëndësishme të reflektohet arritja e strategjive të zhvillimit ekonomik lokal. Para kësaj, është e rëndësishme që këto strategji të jenë realiste dhe të kenë vlerësim financiar.
Z. Salvador Elmazi, drejtor i Buxhetit në Ministrinë e Financave, prezantoi konceptin për financat lokale dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik lokal. Agjenda e zhvillimit ekonomik lokal përfshin një strategji të përbashkët në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Komunat, me angazhimin e tyre gjatë procesit buxhetor, duhet të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë sektoriale të linjës për të adresuar sfidat e identifikuara.
Udhëheqësi i Ekzekutimit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Jeton Kryeziu, foli për planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin e buxhetit komunal, si dhe për dy sisteme të buxhetimit: Sistemin e Zhvillimit dhe Menaxhimit të Buxhetit (BDMS) dhe Programin e Investimeve Publike (PIP).
Ky është trajnimi i parë që mbahet në kuadër të projektit „Programi i Politikave Publike – Financat dhe Zhvillimi Ekonomik Lokal“.
Aktiviteti është organizuar në kuadër të programit „Mbështetje për komuna më të forta dhe të qëndrueshme (SSSM)“, i cili synon të analizojë gjendjen aktuale të kornizës financiare lokale, si dhe planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin lokal.