You are currently viewing Prezantohet Model-Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal

Prezantohet Model-Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) organizoi punëtorinë lidhur me prezantimin e Model Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Monitorimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2019-2023. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga MAPL-ja dhe Drejtorë e Zyrtarë për Zhvillim Ekonomik Lokal.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi dhe diskutimi i draftit të parë të Model Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal; Udhëzuesit për Hartimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal; Monitorimit të Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2019-2023; Rishikimit të Planit të Veprimit të Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2021-2023.

Model Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal ka për qëllim të ofrojë për komunat një dokument lehtësues në procesin e hartimit të dokumenteve dhe politikave strategjike lokale. Njëkohësisht ky dokument do të shërbejë si orientim për komunat në realizmin e objektivave të tyre strategjike komunale.

Komunat duhet të bëjnë përpjekje që nëpërmes zhvillimit ekonomik lokal të përmirësojnë dhe ngritin kualitetin e jetës së qytetarëve duke krijuar mundësi të reja në mirëqenien ekonomike dhe shoqërore.

Takimi ishte në kuadër të përkrahjes së komunave në hartimin e dokumenteve strategjike që ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal. Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit “Dialogu për Komunat Evropiane” (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje