You are currently viewing Reforma në Administratë, kushti kryesor për integrim në BE

Reforma në Administratë, kushti kryesor për integrim në BE

Në kuadër të modulit të parë, pjesëmarrësit e programit LGA-VI, në një vizitë të veçantë patën rastin të takohen me Ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja e përpjekjeve që po bën Ministria e Inovacionit dhe Administratës lidhur me ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike; shërbimet e integruara publike përmes agjencionit ADISA; inovacionin në administratë

Fillimisht, drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z.Besnik Tahiri, foli për nevojën e bashkëpunimit dhe marrjes së praktikave të mira nga Shqipëria në procesin integrues të të dyja vendeve. Me këtë rast, z. Tahiri hapi diskutimin duke theksuar se në vendet e zhvilluara nuk është më debat qeverisja e mirë, e kjo për dy arsye: e para se është kthyer në normë dhe kulturë; dhe e dyta se ekziston një mbikëqyrje dhe llogaridhënie e avancuar, ku në rast shmangieje janë të qarta pasojat.

Andaj, edhe vetë nocioni i decentralizimit funksional dhe efikas, ndërlidhet me procesin e ofrimit të shërbimeve të shpejta. Digjitalizimi i shërbimeve ka ndryshuar edhe vetë dimensionet dhe konceptet e decentralizimit. Pra, çelësi i suksesit është inovacioni në ushtrimin dhe ofrimin e shërbimeve.

Ndërkaq, Ministrja Harito dhe ekipi i saj falënderuan Institutin KLGI për vizitën dhe shprehen vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë në funksion të përvojave përgjatë procesit të reformave në Kosovë. Me këtë rast, ata prezantuan para pjesëmarrësve vizionin dhe përkushtimin politik të Ministrisë lidhur me procesin e reformave, hapat e ndërmarrë drejt rritjes së standardeve të ofrimit të shërbimeve publike; përpjekjet dhe protofolion e kësaj Ministrie në procesin e integrimit.

Në takim, Ministrja dhe ekipi folën për procesin e reformës si domosdoshmëri dhe njëri ndër pesë kushtet kyçe të hapjes së negociatave për anëtarësim. Me këtë rast u theksua se në të gjitha vlerësimet kjo fushë ka bërë progresin më të madh.

Me këtë rast u theksua se reforma e administratës nuk mund të shtyhet pa pasur parasysh tri elemente kyçe: legjislacioni, burimet njerëzore, digjitalizimi. Duke prezantuar reformat në legjislacion, Ministria Hatiro theksoi se një legjislacion i mirë parasheh procese dhe procedura të standardizuara duke shmangur debatet dhe interpretimin e llojllojshëm të procedurave dhe dokumentacionit nga administrata shtetërore. Pra “shteti duhet të ketë një fytyrë” ku secili shërbyes duhet të interpretojë procedura të qarta dhe të sakta.

Ndërkaq, në aspektin e rritjes së kapaciteteve të administratës Ministrja potencoi se është tetë-fishuar numri i zyrtarëve të trajnuar nga Shkolla e Administratës Publike (ASPA). Megjithatë ende këto kapacitete janë të pa mjaftueshme në plotësimin e standardeve evropiane.

Në aspektin e digjitalizimit u fol për një investim prej 100 milon dollarësh në tre vitet e fundit. Këto fonde kryesisht janë investuar në programet e avancuara dhe integrimin e shërbimeve, duke ju shmangur procedurave dhe proceseve të paqarta dhe të komplikuara. Dhe aktualisht është duke u testuar si pilot ofrimi i shërbimeve publike të integruara (ADISA). Kjo ka ardhur pas një vlerësimi të detajuar dhe vendosje së kodeve unike me 1400 shërbime.

Pra, pavarësisht progresit, ende ka shumë punë në avancimin e kulturës së të menduarit të administratës, ku secili është në funksion të shërbimit ndaj publikut. Kjo duhet të arrihet duke e bërë të qartë se ofrimi i shërbimeve është i detyrueshëm dhe i monitorueshëm.

Pjesëmarrësit, patën rastin të shohin nga afër hapësirat, modelin dhe angazhimin e Shkollës për Administratë Publike (ASPA), ku u pa qartë se ekzistojnë kapacitete të plota profesionale, teknike dhe operacionale në avancimin e kapaciteteve të administratës shtetërore.

Lini një Përgjigje