You are currently viewing Vlerësimi i performancës është mekanizëm kyç për të vendosur fokusin për intervenim në sfidat që u dalin komunave

Vlerësimi i performancës është mekanizëm kyç për të vendosur fokusin për intervenim në sfidat që u dalin komunave

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi sesionin trajnues titulluar ‘Performanca dhe Grantet Stimuluese për Komunat’ që u mbajt në Sallën e Kuvendit Komunal në Klinë. Ky sesion trajtoi nevojën për përmirësim të vazhdueshëm të performancës komunale si mekanizëm kyç për shërbime më cilësore ndaj qytetarëve.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin përfaqësues nga 7 komuna të Kosovës (Mitrovica, Podujeva, Kamenica, Klina, Drenasi, Vushtrri dhe Parteshi).

Drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, në hapje të sesionit inkurajoi përfaqësuesit e komunave që të tregojnë performancë më të mirë me qëllim të ofrimit të shërbimeve efikase dhe efektive për qytetarët. Gjithashtu nëpër mes kësaj do të hapej rruga për qasjen më të lehtë në fonde zhvillimore.

Pjesëmarrësit patën rastin të kenë një bashkëbisedim me Kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, i cili në rolin e nikoqirit falënderoi për vizitën në Komunën e Klinës, njëherit informoi për projektet të cilat janë duke i zhvilluar dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo komunë në dhe progresin në implementimin e projekteve zhvillimore.

Ky gjithashtu shërbeu si një rast i mirë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave dhe sfidave të përbashkëta me të cilat ballafaqohen komunat pjesëmarrëse në këtë program.

Të pranishmit po ashtu patën rastin të informohen lidhur me Grantet e Performancës së komunave i cili menaxhohet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) dhe projekti DEMOS, i cili synon të stimulojë komunat në fushat e qeverisjes së mirë, menaxhimit komunal, transparencës dhe integritetit.

Menaxheri i projektit DEMOS, z. Ertan Munoglu, duke folur për rëndësinë e Grantit të Performancës theksoi se Kosova është vendi i vetëm në rajon i cili ka një sistem të menaxhimit të performancës, duke rritur në këtë mënyrë llogaridhënien dhe transparencën e punës së komunave. Granti si i tillë vlerëson punën e institucionit që është në vazhdimësi, pavarësisht ndërrimit të qeverisjes. Megjithatë institucioni është ai që performon me ndjenjën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Përpos ligjëratave, diskutimeve dhe prezantimeve pjesëmarrësit gjatë bashkëbisedimit morën përgjigjet nga tema të ndryshme, dhe pas kësaj zhvilluan edhe një vizitë të përbashkët në administratën e Komunës dhe qytetin e Klinës.

Ky aktivitet është në kuadër të shtyllës për përmirësimin e politikave publike në nivel lokal dhe realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje