You are currently viewing 7 Pikat Problematike të Pushtetit Lokal në Kosovë

7 Pikat Problematike të Pushtetit Lokal në Kosovë

Në kuadër të konferencës periodike për qeverisje lokale dhe ceremonisë së veçantë të lancimit të portalit më të ri ‘Info Komuna’ prezantova shtatë (7) pikat problematike për komunat që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente.

Duke parë ngecjet dhe dinamikat e ulëta, pengesat me të cilat po përballet qeverisja lokale, mungesën e një reforme serioze për t’i dhënë funksionalitet decentralizimit në komunë, KLGI,  bashkë me partnerët ka vlerësuar si domosdoshmëri nevojën për një intervenim direkt, fushë për  fushë dhe sektor për sektor në qeverisjen lokale. Për më tepër, kjo vjen si rrjedhojë e mungesës së ndryshimeve në ligjet bazike dhe atyre sektoriale për t’i hapur rrugën një zhvillimi strategjik dhe të qëndrueshëm të nivelit lokal.

7 Pikat e prezantuara gjatë ceremonisë ishin:

1.    Raportet në mes Qeverisë Qendrore dhe Lokale; Komunat janë në mes të kërkesës së qytetarëve për shërbime dhe një ballafaqimi të vazhdueshëm më institucionet qendrore, ndërmarrjet regjionale dhe agjencitë qeveritare. Prandaj, është domosdoshmëri një intervenim direkt që do t’i ofronte qartësi të plotë rolit të komunave dhe institucioneve që operojnë në nivelin lokal, qoftë nëpërmes shërbimeve publike, administrative apo operacionale. Vlen të theksohet se dora e parë e shtetit është komuna dhe se shërbimi i parë i qeverisë vjen nëpërmes komunës. Arritjet të një shteti varen drejtpërdrejtë nga suksesi i komunës si institucion. Andaj, shteti është i fortë vetëm nëse komuna është e fortë.

2.    Qeverisja e Mirë dhe Reformat (Raportet mes nivelit Ekzekutiv dhe Legjislativ); KLGI synon që komuna të jetë një institucion i përgjegjshëm, efikas dhe funksional, në shërbim të forcimit të legjitimitetit, fuqizimit të demokracisë lokale, e që në esencë do të shërbente për një qeverisje llogaridhënëse dhe transparente që janë shtyllat e domosdoshme për një qeverisje të mirë. Janë një varg politikash, direktivash dhe shërbimesh që krijojnë dykuptimësi dhe ngecje të vazhdueshme për një qeverisje të decentralizuar funksionale. Andaj, pa një koordinim dhe bashkëpunim brenda institucional, me theks në mes të ekzekutivit dhe legjislativit, komunat rrezikojnë rrugëtimin e tyre drejt një qeverisje lokale efikase në shërbim të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

3.    Themelimi i Komunave të Reja; Themelimi i një apo disa komunave të reja duhet të jetë proces gjithëpërfshirës, transparent, dhe konsultativ. Komunat aktuale kanë pasur mundësi të mjaftueshme ligjore që përmes ligjit për bashkëpunim ndër-komunal të ofrojnë shërbime në hapësirat që kanë shtruar kërkesa për themelim të komunave. Mos gatishmëria e institucioneve që ta ofrojnë shërbimin sa më afër qytetarëve qoftë përmes zyrave administrative apo bashkësive komunale, ka shtyrë që kërkesat për komunat e reja të rriten. Themelimi i komunave të reja nuk duhet të kalojë pa kritere dhe analizë të qartë; në të kundërtën kjo do të shpijë tek një konfuzion duke rritur pritjet e qytetarëve përmes premtimeve elektorale. Ky proces nuk mund të jetë arbitrar, pa analizë e konsultim, dhe varet kryekëput nga kapaciteti financiar dhe administrativ i komunave që mendohet të themelohen. Kosova mund ti ketë edhe 68 komuna, por pyetja është se a do të jenë ato funksionale dhe në shërbim të qytetarëve.

4.    Ligji për Prishtinën; duhet të lehtësoje menaxhimin e të hyrave vetanake dhe në të njëjtën kohë ti jap më shumë fuqi dhe mundësi asamblesë komunale në politikë-bërje. Reforma e qeverisjes lokale duhet të trajtohet ndaras nga ligji për Prishtinën si kryeqytet. Në njërën anë, reforma e pushtetit lokal duhet të ketë një vlerësim shumë nivelësh dhe ndër sektorial, dhe në anën tjetër, Ligji për Prishtinën duhet që medoemos të trajtojë aspekte specifike, që t’i mundësojë Prishtinës të funksionojë si kryeqytet i Republikës. Pa miratimin e ligjit të Prishtinës, Kosova do ta ketë të pa përmbyllur kornizën ligjore të qeverisjes lokale dhe kërkesën kushtetuese. Kjo, sepse ligji për kryeqytetin është ligj kushtetues. Ligji për Prishtinën nuk është një ligj për kryetarë, është dokumenti themelor për zhvillim të qëndrueshëm të kryeqytetit. Andaj, më mirë pa ligj, se sa me një ligj të dobët që nuk i jep funksionalitet të plotë Prishtinës si kryeqendra e shtetit.

5.    Korniza Ligjore karshi aktakuzave të kryetarëve të komunave: Duke pasur parasysh aktakuzat dhe dënimet e kryetarët të komunave dhe situatën e tashme në Kosovë, është e qartë se korniza ligjore, menaxhimi i përditshëm ‘ad-hoc’ dhe administrata jo profesionale po i shtyjnë kryetarët të ndërruarin veprime të jashtëligjshme. Shto këtu faktin se legjislacioni bazik dhe ai sekondar kanë një përplasje të vazhdueshme. Kryetarët janë në mes kërkesave të qytetarëve për ofrim të shërbimeve dhe hendeqeve qofshin ligjore, financiare apo të menaxhimit me prona dhe shërbime. Ne duhet që përmes qartësive ligjore t’ua zgjidhim duart kryetarëve që të jenë në shërbim të qytetarëve ashtu siç u është dhënë mandati.

6.    Integrimi i Komunave të Veriut: Beteja kryesore është kthyer në shërbime; Tani më nuk kemi të bëjmë vetëm me aspektin politik por e tërë fushëbeteja dhe fokusi kthehet në rrafshin e asaj se kush ofron shërbime më të mira. Është e domosdoshme që rruga e integrimit të vërtetë duhet të fillojë me veprime dhe arritje konkrete në teren. Në rast se ne nuk u ofrojmë shërbime kualitative, gjithëpërfshirëse të gjithë qytetarëve në secilën pjesë pa dallim, atëherë kemi lënë të hapur derën që të tjerët të ndërhyjnë dhe si pasojë të cenojmë në masë të madhe funksionalitetin e shtetit.

7.    Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe; Është e rëndësishme që të themelohet brenda kuadrit Kushtetues ligjor të Kosovës, të mos ketë kompetenca që nuk janë në përputhje me ligjin aktual me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe të ketë statutin e vetë si aktin më të lartë miratuar nga A/BKS. Ky Asociacion që në nisje ka pasur dy emra dhe dy qëllime. Andaj, ne duhet që udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese ti kemi si udhërrëfyes që të ndërtojmë një institucion që është në shërbim të komunave, në shërbim të zhvillimit e para së gjithash në shërbim të integrimit të plotë të gjithë qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Pikat që prezantova kanë harmoni me strategjinë për qeverisje lokale 2016-2026, udhërrëfyesin e KLGI-së, zhvillimet  rajonale dhe trendët ndërkombëtare. Andaj, KLGI dhe partneret  përmes një dokumenti politikash do të propozojnë një qasje efikase për t’i dhënë funksionalitet qeverisjes lokale.

KLGI, stafi dhe unë personalisht jemi në shërbim të institucionit dhe zyrtarëve, kjo sepse ne synojmë ndryshim për vendin tonë.

Lini një Përgjigje