You are currently viewing Instituti KLGI ndan çmimin vjetor për demokraci lokale 2017 për gazetarin Arben Ahmeti

Instituti KLGI ndan çmimin vjetor për demokraci lokale 2017 për gazetarin Arben Ahmeti

  • Post author:
  • Post category:Media
  • Post comments:0 Comments

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale që nga viti 2014 ndan çmimin vjetor për Demokraci Lokale si vlerësim që i bëhet personaliteteve për përkushtim dhe kontribut të dalluar në fushën e qeverisjes dhe demokracisë lokale. Për këtë vit, ky çmim i është ndarë z. Arben Ahmeti, autor dhe drejtues i programit ‘Zyra e Ankesave’ në RTV Dukagjini.

Zhvillimet nëpër komuna tregojnë që zëri i qytetarëve nuk dëgjohet mjaftueshëm, konsultimet janë të mangëta dhe ankesat e tyre shpesh nuk përfillen. Kjo zbeh besimin e qytetarëve në institucione. Mirëpo, kjo nuk e ka penguar z. Ahmeti që në baza ditore të përkushtohet drejtpërdrejt duke inkurajuar ndryshim dhe zhvillim të komunave të Republikës së Kosovës.

Përmes emisionit që drejton, z. Arben Ahmeti në vazhdimësi ka qenë në shërbim të adresimit të problemeve të qytetarëve, duke pasur efekt pozitiv në lagje, fshatra dhe qytete të Republikës së Kosovës. Ahmeti ka treguar përkushtim të pashtershëm në përkrahje të nismave që prekin përditshmërinë e qytetarëve përmes përfshirjes direkte në tema specifike. Ahmeti është shembull i dalluar për përfshirjen dhe konsultimin e qytetarëve në vendim-marrjen e komunave.

Çmimi iu dedikua z. Arben Ahmeti me motivacionin për kontribut të avancuar në inovacion, rritje të llogaridhënies dhe transparencës, forcim të demokracisë lokale dhe lidhjes më të fortë të qytetarëve me komunën. Mbi këtë motivacion, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për z. Arben Ahmeti.

Shpresojmë që Çmimi për Demokraci Lokale, si dhe çmimet e tjera si kjo, do të inkurajojnë dhe nxisin ndryshime pozitive në Kosovë.

Lini një Përgjigje