You are currently viewing KLGI organizoi trajnimin treditor “Praktikat e mira të rajonit për pjesëmarrje në fondet e BE-së”

KLGI organizoi trajnimin treditor “Praktikat e mira të rajonit për pjesëmarrje në fondet e BE-së”

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi trajnimin treditor (3-5 mars) në Republikën e Shqipërisë me temën “Praktikat e mira të rajonit për pjesëmarrje në fondet e BE-së”. Pjesëmarrës ishin zyrtarë nga gjashtë komuna (Ferizaj, Gjilan, Pejë, Lipjan, Klinë dhe Vushtrri).

Qëllimi i trajnimit ishte forcimi i kapaciteteve të zyrtarëve komunalë në menaxhimin e ciklit të projekteve, me fokus në identifikimin e problemeve, hartimin e propozim-projektit efektiv, duke përfshirë edhe zbatimin, raportimin dhe vlerësimin e projektit.

Instituti KLGI ka dizajnuar një program të avancuar trajnues për politikbërësit dhe zyrtarët komunalë për konsolidimin dhe ngritjen e kapaciteteve në fushën e politikave strategjike dhe zhvillimore komunale. Nëpërmes këtij programi, synohet të ngritet kapaciteti i komunave në: dizajnimin e programeve të politikave publike komunale; dokumenteve dhe strategjive komunale; dizajnimin e projekteve zhvillimore; ndërlidhjen me programet nacionale dhe partnerët zhvillimorë; sistemeve të integruara të politikave publike dhe kalendarit të proceseve; avancimin/shkëmbimin e praktikave, nxitjen e inovacionit dhe ndjekjen e trendëve.

Në kuadër të këtij trajnimi, u organizua edhe vizita studimore në Bashkinë e Tiranës për t’u njohur me përvojat e mira rajonale, specifikisht me rezultatet e Bashkisë së Tiranës në qasjen e fondeve IPA, si dhe me punën e njësisë bashkiake për integrim evropian.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) është institut (think-tank) lokal, i cili u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje