You are currently viewing Komunat, bazë e qëndrueshme për siguri

Komunat, bazë e qëndrueshme për siguri

Siguria në nivelin lokal është platformë kyçe për jetesën e komunitetit, zhvillimin e sektorit privat dhe investimeve.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, në kuadër të programit edukativ “Akademia për Qeverisje Lokale” mbajti modulin e katërt, ku në tri sesione të ndara u trajtuan aspektet e sigurisë në nivelin lokal. Në punimet e këtij moduli u shtjelluan aspektet e sigurisë, duke u nisur nga policimi në bashkësi, plani i emergjencave dhe roli i komunave në zvogëlimin e rrezikut nga ekstremizmi.

Në hapje të sesionit, drejtori ekzekutiv i institutit KLGI z. Besnik Tahiri theksoi se siguria në nivelin lokal është bazë e qëndrueshme për jetesën e komunitetit zhvillimin e sektorit privat dhe investimeve. Andaj komunat duhet që të fuqizojnë edhe më tutje mekanizmat koordinues dhe bashkëpunues me policinë dhe komunitetet lokale në mënyrë që të ofrojnë në platformë të qëndrueshme jo vetëm të sigurisë por edhe të intervenimit në rastet e emergjencave.

Kjo për faktin se në situatat e tilla përpos që shpërfaqin problemet me të cilat përballën banorët, ato tregojnë dhe mungesën e një plan-veprimi për të eliminuar pikat kritike që në rast emergjencash mund të kthehen në rrezik të madh për jetën e qytetarëve. Pra, me kalimin e krizës nuk përfundojnë detyrat e institucioneve, por është momenti kyç në hartimin e planit serioz të emergjencave, sanimit të dëmeve dhe koordinimit me institucionet qendrore dhe komunitetet lokale.

Ndërkaq z. Lulzim Fushtica, këshilltar për siguri në komunitet nga ICITAP ka theksuar se koordinimi me komunat synon që të punohet për një qellim të përbashkët duke rritur respektin dhe besimin tek njëri-tjetri duke ndërtuar themelet të forta nga të cilat mund të adresojnë çështje, brenga të përbashkëta për të zgjidhur probleme lokale.

Rezultati i dëshiruar i këtij bashkëveprimit të komunitetit janë zvogëlimi i krimit, përmirësimi i kushteve jetësore dhe siguria e komunitetit. Për këtë KKSB-të, përfaqësues nga OJQ-te, mediat, arsimi, policia, kanë rolin e një këshilli koordinues lidhur për çështjet me të cilat ballafaqohet qytetari si adresimi i tyre në institucionet përgjegjëse, e cila ka për qëllim identifikimin dhe adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me krimin, sigurinë dhe kualitetin e jetës, për të arritur qëllimin e përbashkët, krijimin e një bashkësie më të sigurt.

Ndërkaq z. Mentor Cakolli, nga Policia e Kosovës në ligjëratën e tij trajtoj aspektin filozofik dhe praktik i zbatimit të Strategjisë së Policimit në Bashkësi dhe Planin e Veprimit 2012-2016. Gjatë prezantimit është shtjelluar në hollësi mënyra e shtrirjes së konceptit të policimit në bashkësi në rrafshin vertikal dhe horizontal të organizimit policorë, elementet e konceptit të policimit në bashkësi (transformimi organizativ, ndërtimi i partneritetit me bashkësinë dhe zgjidhja e problemit), ndarja sektoriale policore dhe infrastruktura e sigurisë në bashkësi me theks të veçantë themelimi apo funksionalizimi i Komiteteve Lokale për Siguri Publike.

Siguria në bashkësi është përkufizuar si një qasje pro-aktive e identifikimit dhe zgjidhjes së problemeve në bashkësi duke synuar zvogëlimin e frikës nga krimi, ngritjen e kualitetit të jetës përmes përmirësimit të sigurisë, ndryshimin e perceptimit rreth sigurisë dhe stimulimin e raportimeve gjegjësisht bashkëpunimit reciprok ndërmjet policisë dhe qytetarëve.

Rekomandimet e dalura nga sesionet e punës:

Rekomandimet ngërthejnë në veti një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve ndërmjet nivelit komunal dhe qendror. Sfidat mbesin në komunikimin vertikal dhe horizontal, qëndrueshmërinë e projekteve, ngritja e vetëdijes së zyrtareve komunal dhe komunitetit për ekzistencën dhe aktivitetet e forumeve të sigurisë në bashkësi dhe po ashtu implementimin e strategjive nga niveli qendror në nivel komunal.

Koncepti i policimit në bashkësi dhe ngritja e sigurisë në bashkësi në përgjithësi nuk është vetëm detyrë e Policisë së Kosovës mirëpo kjo qasje duhet të përqafohet të aktivisht të zbatohet edhe nga të gjitha komunat, institucionet, OJQ-të dhe qytetarët në përgjithësi;

Të caktohen vija buxhetore për zbatimin e aktiviteteve të policimit në bashkësi me qëllim të ngritjes së kulturës së raportimit dhe përgjegjësisë tek qytetarët në përgjithësi dhe avancimi i qasjes pro-aktive policore karshi rasteve të ndryshme që mund të ndodhin në bashkësi;

Të sigurohet mbështetje nga kuvendet komunale në iniciativat e zyrtarëve policorë të caktuar me punë në sektorët policorë rreth promovimit të konceptit të policisë në bashkësi, njohjes së zyrtarëve policorë në cilët kujdesen për sigurinë e tyre;

Të mbështeten iniciativat vetëdijësuese dhe bashkëpunuese të Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) nga kuvendet komunale me qëllim të ngritjes së sigurisë në bashkësi nëpër komuna.

Roli i komunave në parandalimin e ekstremizmit është shumë i rëndësishëm dhe ky rol është konceptuar edhe në aktivitetet e parapara me strategjinë dhe planin e veprimit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015 – 2020.

Bashkëpunimi me forumet lokale të sigurisë (KKSB, KLSP, EVSB) nëpër komuna, komunitetin fetar, OJQ-të dhe shoqërinë civile përmes takimeve për identifikim të problemeve, brengave që ndikojnë tek personat për radikalizim dhe ekstremizëm;

Kosova është përfshire edhe në iniciativën globale të përkrahur nga Departamenti i Shtetit të SHBA –Rrjetëzimi i qyteteve të forta – Strong Cities Network që për qellim ka nga ndarjen e përvojës së nivelit komunal në parandalim të ekstremizmit. Anëtarësimi në këtë iniciativë do të mundësoje përfitimin e projekteve dhe donacioneve për këtë fushe;

Funksionalizimi së bashku me komunat i mekanizmave referuese (dhe Procedurave Standarde Operative) për raportim dhe trajtim të rasteve të dyshimta të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Mekanizmat Referues do të shërbejnë në identifikimin e hershëm të individëve të rrezikuar, apo të cenueshëm, nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm duke parandaluar kësisoj radikalizmin e mëtejmë të individëve në shoqërinë tonë;

Niveli komunal dhe forumet e sigurisë duhet të ndajnë përgjegjësinë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës si dhe organizimin e takimeve të rregullta në mes të institucioneve publike me komunitetin, shkollat, bashkësitë fetare duke përdorur rrjetet dhe mekanizmat ekzistuese.

Ky program është mbështetur nga Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert Stiftung.

Lini një Përgjigje