You are currently viewing Komunikimi efektiv kërkon strategji dhe ndër-veprim

Komunikimi efektiv kërkon strategji dhe ndër-veprim

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, mbështetur nga OSBE në Kosovë, mbajti tryezën e rrumbullakët me temën: “Platformat Online mbi Qeverisjen Lokale – Ndarja e Përvojave dhe Informacionit me Shoqërinë Civile”, me ç’rast Instituti KLGI u përfaqësua nga z. Besnik Muçaj, Menaxher i Programeve.

Kjo ngjarje shërbeu si mundësi për të ekspozuar dhe për të diskutuar për online platformat për qeverisjen lokale. Me këtë rast, Muçaj theksoi se administrata komunale duhet të kthehet në burimin kryesor për informacion dhe komunikim me media dhe qytetarë, përderisa komunat duhet të jenë qendër e proceseve të komunikimit brenda komunitetit lokal dhe kësisoj të transformohet në një akter të rëndësishëm të komunikimit në një mjedis të ri.

Përkundër konstatimeve se është bërë progres në rrafshin e pushtetit lokal dhe konsolidimit të komunave, llogaridhënia dhe transparenca institucionale mbeten ende çështje sfiduese. Dihet se këto dy elemente (transparenca dhe llogaridhënia) janë thelbësore për qeverisje të mirë. Rruga drejt informimit publik efikas duhet të jetë baza e qeverisjes së mirë, ndërkaq, komunikimi efektiv me qytetarët dhe pjesëmarrja e tyre në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të komunës është vendimtare.

Pavarësisht përpjekjeve në avancimin e sistemit unik të platformave online (ueb faqeve; rrjeteve zyrtare sociale) ende ka shumë pengesa dhe paqartësi si në aspektin funksional, në atë teknik dhe operacional. Përtej kësaj, komunikimi nga ai i mbyllur duhet të kthehet në atë të dyanshëm, e për të ndodhur kjo duhet një qasje strategjike dhe një agjendë e përbashkët në mes akterëve lokal.

Aktualisht, ueb faqet janë tejet të kufizuara në prezantimin e vlerave të komuniteteve dhe vetë qyteteve. Për këtë, Instituti KLGI, ka ofruar një kontribut në bashkëpunim me platformën infokomuna, në funksion të prezantimit të zhvillimeve në dhe rreth qyteteve.

Lini një Përgjigje