Themelimi i komunave të reja: mundësi apo pengesë për shërbime më të mira në sistemin e qeverisjes lokale

Vendi: Swiss Diamond

Data: 4 qershor 2013

Ligjeruesit:

Basri Musmurati,  Zv. Minister i MAPL-së

Besnik Tahiri, Drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale

Rizvan Sylejmani, Ish- minister i pushtetit lokal në Republikën e Maqedonisë

Rufki Suma, Kryetar i Komunës – Hani i Elezit

Sasa Mirkovic, Kryetar i Komunës – Klokot

Shukrie Ramadani, Zhegra

Bajrush Ibishi
, Orllani

Temat:

Qasja e Qeverisë në raport me Themelimin e Komunave të reja, prezantimi i kritereve të qeverisë për themelimin e komunave të reja,

Prezantimi i parimeve dhe kritereve ndërkombëtare për themelimin e komunave të reja: Mundësitë dhe rreziqet

Rasti i Maqedonisë

Rasti i Kosovës

Kërkesat për themelimin e komunave të reja

Prishtinë, 4 qershor 2013: Me temë krijimin e komunave të reja Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (IQKL) në kuadër të Akademisë për Qeverisje Lokale sot u organizua konferenca një ditore. Prezantues të ftuar  të kësaj konference ishin zv. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Basri Musmurati, dhe ish Ministri i Pushtetit Lokal nga Maqedonia, z. Rizvan Sulejmani. Të ftuar ishin kryetar të komunave, drejtor të departamenteve, Këshilltar të Asambleve Komunale, Me këtë rast z. Besnik Tahiri drejtor i IQKL shpjegoi thellësisht rëndësinë që ka rregullimi i vetëqeverisjes lokale në Kosovë, duke përmendur faktin që “ndryshimi i kompozicionit të komunave aktuale është proces i cili duhet mbështetur në kritere të qarta dhe të paracaktuara me politika dhe legjislacion vendor, i cili reflekton edhe bazën formale ndërkombëtare si dhe praktikat e mira perëndimore”.

Në këtë kontekst në rolin të zv. Minstrit, z. Basri Musmurati theksoi që në mesin e shume parimeve tjera “krijimi i komunave të reja nga këndvështrimi institucional duhet mbështetur në parimin e efikasitetit dhe subsidiaritetit, ndërsa si Ministri e Administrimit të Pushtetit Lokal ata kanë parasysh që secila kërkesë për krijimin të komunave të reja duhet trajtuar ndaras dhe jo në pako”.

Në këtë mënyrë, në pikëpamje të zv. Ministrit zvogëlohet rreziku që rrjedh nga krijimi i një apo disa komunave pa u bazuar në kritere dhe vlerësim paraprak. Sipas z. Musmurati edhe tani në këtë kompozicion aktual të komunave “ka vështirësi në ofrimin e shërbimeve të cilat janë kryesisht me shtrirje regjionale, andaj duhet marr në konsiderate që komunat e reja duhet pasur kapacitetin për t’u vetadministruar dhe për te ofruar shërbimet e nevojshme dhe te parapara me ligj”.

Në fryme të ngjashme prezantoi edhe ish Ministri i Pushtetit Lokal në Maqedoni i cili theksoi se “krijimi i komunave të reja pa u mbështetur në analizë, kërkese dhe pa marrë për bazë nevojën që ato të jenë qëndrueshme dhe autonome do të ishte më shumë një veprim politik dhe me rreziqe se sa një zgjidhje praktike.” Sipas tij Maqedonisë i është dashur të korrigjojë gabimin kur kishte rritur numrin e komunave, duke e zvogëluar këtë numër me një reforme jo fort të lehtë. Në këtë kuadër sipas tij Kosova nuk duhet të bëjë gabim të ngjashëm dhe të themelojë komuna pa kritere.

Në këtë takim u prezantuan qëndrimet dhe nga  komunat e themeluara me procesin e decentralizimit (Juniku Kllokoti, Hani i Elezit) dhe përfaqësuesve të lokaliteteve që po synojnë të krijojnë komuna të reja (Rogova, Orllani dhe Zhegra).

Deklarata e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale nga Konferenca:
Themelimi i Komunave të reja
Mundësi apo Pengesë për Sistemin e Qeverisjes Lokale në Kosovë

Shpjegim: Themelimi i një apo disa komunave të reja është proces i cili duhet bazuar në kritere të qarta dhe të definuara paraprakisht. Themelimi i një apo më shumë komunave nuk është, dhe nuk do të duhej të jetë një proces i izoluar dhe arbitrar sipas parapëlqimeve të askujt, e as të qeverisë. Rregullimi i themelimit të komunave të reja siç parashihet me kriteret aktuale të ofruara në këtë dokument mundësonte procesi i themelimit të bazohet mbi parimet e respektimit të demokracisë lokale, të respektimit të autoriteteve lokale, të konsultimit të palëve të interesuara dhe prekura nga ky proces, përfshirë këtu aspekte që lidhen me të mirën e përgjithshme publike.

Praktikë e ngjashme vlen edhe për ndarjen, ndryshimin e kufijve komunal, përcaktimin e emrave apo vendbanimeve. Sipas legjislacionit në fuqi, Kosova ka një numër të komunave rregullimi i qeverisjes së të cilave mundësohet nëpërmes kushtetutës, dokumenteve ndërkombëtar (në veçanti me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale). Aktualisht ne po përballemi jo vetëm me injorimin e provizioneve ligjore, por edhe me aspektet e rregullimit demokratik i cili si bazë ka respektimin e vullnetit të qytetareve, të respektimit të institucioneve lokale, si dhe konsultimin e opinionit publik, përfshirë këtu edhe akter aktivë fushën e qeverisjes lokale në kuadër të shoqërisë civile, komunitetit të donatorëve, dhe më gjerësisht.

Në këtë kontekst, ndryshimi i një apo disa kufijve administrativ konceptohet si proces i cili bëhet nëpërmes:

a) Bashkimin e një apo më shumë komunave brenda një komune ekzistuese;
 b) Bashkimin e dy apo më shumë distrikteve për formimin e një komune të re;
c) Ndarjen e një pjese të një komune apo komunave për formimin e një komune të re.

Siç shihet nga ky formulim të tre këto dimensione kanë të bëjnë, dhe i referohen më shumë një nevoje apo domosdoshmërie e cila duhet të dal nga autoritetet dhe komunitetet lokale, në këtë rast nga përfaqësuesit e një apo disa komunave, dhe jo nga vendimi i komunitetit, fshatit dhe parapëlqimeve politike të përfaqësuesve në qendër.
 
Kjo sepse precedenti i krijimit të komunave pa kritere, dha në mungesë të parapëlqimit të përfaqësuesve dhe strukturave lokale përcjellë një mesazh krejtësisht negativ të komunat ekzistuese, dhe për më shumë krijon përshtypjen se ekzistenca dhe autoriteti i tyre janë në funksion të agjendës qendrore, duke e vendosur kështu përfaqësimin e qytetareve dhe interesave lokale në pozicion inferior.

Baza rregullative e nevojshme për krijimin e një apo disa komunave, ose thënë më mirë për çfarëdo ndryshimi të kufijve administrativ – me këtë do të duhej nënkuptuar edhe ndryshimet që dalin nga themelimi i komunave të reja – duhet të përfshijë së paku:

a) hartën e territorit apo territoreve kufijtë administrativ të komunave të cilave janë propozuar të ndryshohen duke specifikuar kufijtë e propozuar administrativ të rinj;
b) arsyen për domosdoshmërinë e një ndryshimi të tillë dhe efektet pozitive apo negative të qasjes së qytetarëve në shërbimet e ofruara nga komuna;
c) një analizë e efekteve të një ndryshimi të tillë sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike të komunës;
d) një arsyetim që dëshmon se ndryshimet e tilla janë në përputhje me parimin e vartësisë dhe do të ketë ndikim pozitiv në ushtrimin e kompetencave komunale;
e) materiale shpjeguese në formë të likuidimit të borxheve apo obligimeve që merren nga secila komunë;
f) raportin që shpjegon mënyrën e konsultimeve me qytetarë, rezultatet në favor dhe kundër që burojnë nga konsultimet e tilla; dhe
g) dokumente tjera të krijuara nga autoritetet përkatëse gjatë procesit.

Në bazë të këtyre kritereve mund të konstatohet qartazi se themelimi i krijimit të një apo më shumë komunave nuk është vetëm proces teknik, por përkundrazi është një proces i studiuar thellë dhe i cili synon ndryshimin pozitiv të një gjendje në favor të interesave të qytetareve të komunave ekzistuese, të cilat shtrojnë arsyen e krijimit të një komune të re, gjithmonë në të mirë të qytetarëve të komunave të përfshira në këtë proces.

Gjithashtu propozimi për ndarjen e një pjese të territorit, për krijimin e një komune të re duhet të përfshijë:

a) Planin për ndarjen e pronave të tyre, të drejtave të tyre, veprimeve, borxheve dhe obligimeve;
b) Planin për ri-caktimin e stafit komunal i cili do të emërohet në komunën e re; dhe
c) Listën e certifikuar të qytetarëve që banojnë në atë pjesë, apo në pjesët që do të përbëjnë komunën e re.

Konstatim si konkluzion:

Themelimi i një apo disa komunave të reja duhet të jetë proces gjithëpërfshirës, transparent, dhe konsultativ,Kjo në mas të madhe nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh aktualisht;

Themelimi i një apo disa komunave të reja është proces i bazuar në vlerësime, analiza, dokumentime, përfshirë këtu edhe aspekte që lidhen me të drejta dhe detyrime,

•    Precedenti i krijimit të një komune pa këtë praktike sfidon vetëqeverisjen lokale,qëndrueshmërinë ekonomike dhe frymën demokratike të përfaqësimit lokal;

•    Qeveria në bashkërendim me komunat e interesuara në ndryshimin e kufijve administrativ, në parim, mund të marr iniciativë për themelimin e një apo disa komunave të reja, por;

•    Anashkalimi i komunave ekzistuese, i vullnetit dhe para së gjithash i mandatit të tyre ligjor e vendos vetëqeverisjen lokale në një pozicion të cenueshëm, dhe rrjedhimisht nuk është mesazh i mirë për këdo;

•    Publiku i gjerë, shoqëria civile, komuniteti i donatorëve, si dhe të përshirë në çështje të vetëqeverisjes lokale kanë interes t’i kontribuojnë fuqizimit të qeverisjes dhe demokracisë.

•    Në këtë kuadër, mos përfshirja e tyre në tema të rëndësishme sikurse kjo është sinjal negativ dhe njëkohësisht përjashtues.

Rekomandime:

KLGI sugjeron formimin e një komisioni nga Qeveria që përfshinë ZKM, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Planifikimit dhe Shoqërinë Civile për të studiuar shqyrtimin e kushteve të komunave të reja.

Në këtë aspekt KLGI rekomandon që:

•    Të paraqitet nevoja e arsyeshme për themelimin e një komune të re dhe të prezantohen  efektet për qytetarët sa i përket qasjes në shërbimet e ofruara nga komuna;
•    Të bëhet analiza e efekteve në raport me qëndrueshmërinë ekonomike të komunës së re;
•    Të përpilohet një arsyetim i cili dëshmon se ndryshimet e tilla janë në përputhje me parimin e vartësisë dhe do të ketë ndikim pozitiv në ushtrimin e kompetencave komunale;
•     Prezantimi i planit për ndarjen e pronave të tyre, të drejtave të tyre, veprimeve dhe obligimeve;
•     Plani për ri-caktimin e stafit komunal i cili do të emërohet në komunën e re;
•    Listën e certifikuar të qytetarëve që banojnë në atë pjesë, apo në pjesët që do të përbëjnë komunën e re.
 
KLGI beson se themelimi i komunave të reja duke i anashkaluar këto elemente do të shpie tek një konfuzion të konsiderueshëm në përgjithësi dhe në veçanti në skenën politike dhe elektorale si dhe do të krijon një gjendje pakënaqësie tek qytetarët.

Lini një Përgjigje